Kategori
Lajme

“Ende pa filluar, zbulohen 5 surpriza nga Kënga Magjike.”

Periudha kur “Kënga Magjike” “merr frymë”, është periudha kur emocionet e garës rrëmbejnë sa vetë këngëtarët, aq edhe publikun. Jo pa shkak, ky edicion përpos rikthimit në sezonin “vjeshtë-dimër”, premton shumë surpriza, të cilat do të zbulohen javë pas jave. Ende pa filluar zyrtarisht kengamagjike.com zbulon 5 surprizat e para, ndër shumë nga surprizat e tjera.

•1-Data zyrtare e startimit të edicionit është 18 shtatori.

Faza prezantuese e këngëve starton më 18 shtator. Secila këngë e kategorisë “Big” dhe “New Artist” do të prezantohet çdo të dielë, në emisionin “E diela shqiptare”, moderuar nga Ardit Gjebrea.

•2-Ardit Gjebrea prezanton sistemin e ri për edicionin e 23-të.

Po! E vërtetë. Pas shumë risish teknike, vizuale, artistike, për herë të parë në Shqipëri, “Kënga Magjike 2022” do të aplikojë sistemin “CuePilot”. Një teknikë dhe sistem kamerash i përdorur në spektaklet më prestigjoze të botës dhe enkas për “Eurovision Song Contest”. Një sistem dhe teknikë risi që ka për qëllim paraqitjen vizuale në cilësinë maksimale, duke mundësuar maksimumin artistik gjatë performancave live.

•3-Shtrirja gjeografike do të jetë më e larmishme se asnjëherë më parë.

Ky do të jetë edicioni më i larmishëm në purjet artistike. Në kategoritë “Big” dhe “New Artist” do të performojnë artistë nga Italia, Franca, Spanja, Maqedonia e Veriut, Greqia, Azerbajxhani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e shumë shtete të tjera, të cilat do të zbulohen me kalimin e kohës.

•4-Anëtarët e jurisë do të ndryshojnë.

Ky edicion premton një riformatim të anëtarëve të jurisë së kategorisë “New artist”

Jonida Maliqi dhe Kozeta Kurti do të vazhdojnë të jenë anëtare jurie, ndërsa anëtarët e rinj të jurisë do të jenë Anxhela Faber, Ema Andrea dhe Pirro Çako.

•5-Kënga Magjike sjell për ju hapësirën e saj mediatike.

Në dallim nga çdo edicion tjetër, “Kënga Magjike” do të funksionojë si një hapësirë mediatike. Përgjatë çdo jave në website-n zyrtar dhe në rrjetet zyrtare sociale, do të publikohen lajme dhe intervista ekskluzive, përfshi këtu rrëfime, zbulime të tjera surprizash etj. Përgjatë çdo jave në kanalin zyrtar në YouTube, nuk do të mungojnë intervistat e artistëve si dhe vlogs ku do të shfaqen prapaskenat e festivalit “Kënga Magjike”. Ndiqni www.kengamagjike.com për më shumë.

Home