Kategori
Histori-timeline

Kënga Magjike 1999

Festivali Kënga Magjike ideuar nga Ardit Gjebrea lindi në nëntor të vitit 1999 si një Festival alternativ i muzikës së lehtë shqiptare. Edicioni i parë riktheu në skenë pas një mungese shumëvjeçare artistët më të famshëm të këngës, ikonat e një brezi të tërë artistësh si: Luan Zhegu, Tonin Tërshana, Ema Qazimi, Mefarete Laze, Liljana Kondakçi, por edhe artistë të rinj që ishin në fillimet e karrierës së tyre.
Në krah të producentit dhe prezantuesit të festivalit, Ardit Gjebrea ishin dy më të bukurat e shqiptarisë, Valbona Selimllari dhe Venera Mustafa.
Presidente e jurisë ishte znj. Anida Take, një personalitet i muzikës shqiptare, e cila prej 10 vitesh nuk kishte prekur skenën e këngës. Mirënjohja ndaj artistes e shtyn producentin Gjebrea t’i drejtohet Presidentit të Republikës, Z.Rexhep Mejdani, i cili dekoron znj.Take në skenën e Festivalit Kënga Magjike me medaljen “Naim Frashëri i Artë”.
Moment unik dhe i papërsëritshëm ishte edhe dueti historik i Gaqo Çako dhe Pirro Çako, të cilët u shfaqën për herë të parë në skenë me një duet.
Festivalit nuk do t`i mungonin as zërat e rinj apo këngëtarë që ishin në fillimet e karrierës së tyre. Elsa Lila ishte një prej këtyre artistëve, që do të merrte mes 34 këngëve çmimin e parë për këngën me titullin “Vetëm një fjalë”.
Kënga Magjike u transmetua nga RTSH, RTV21 dhe 5 radio; Tirana, +2, Club FM, Koha, Stinet.
Regjisor i parë i Festivalit Kënga Magjike ishte Pali Kuke.

Home