Kategori
Slider Uncategorized

Bëhuni gati!…Starton “Kënga Magjike 2022”!

Po! E vërtetë! Zbulohet data e startimit të edicionit të 23-të të “Kënga Magjike”.

“Kënga Magjike” mbetet festivali më prestigjoz i muzikës moderne shqiptare, tanimë edhe internacional. Në këto “23 vite jetë” emra dhe breza artistikë nga më të ndryshmit kanë jetuar magjinë e festivalit. Në secilin edicion është servirur art, performanca, rryma të ndryshme muzikore, showbiz, dedikime, debate, bashkëpunime, apo ribashkime artistike, e risi në POP-in shqiptar. Më 29 maj 2021, edicioni i 22-të i festivalit u finalizua me shpalljen e fituesit Alban Ramosaj më këngën “Thikat e mia”. Viti i kaluar u përmbyll me një deklaratë nga producenti, autori, moderatori Ardit Gjebrea:“Rikthehemi në sezonin e ardhshëm, në vjeshtë.”

Ekskluzivisht “kengamagjike.com” zbulon datën e startimit të edicionit të 23-të, por edhe shumë risi të tjera. “Kënga Magjike 2022” këtë vit do të startojë në datën 18 shtator 2022 në TV Klan. Këngëtarët e kategorive “Big dhe New Artist” do të prezantohen çdo të dielë në emisionin e përjavshëm “E Diela Shqiptare” moderuar nga Ardit Gjebrea. Anëtarët e jurisë së “Kënga Magjike 2022” do të jenë kantautori Pirro Çako, aktorja Ema Andrea, këngëtarja Jonida Maliqi, administratorja e “Acromax” Anxhela Faber si dhe gazetarja Kozeta Kurti.                                                                                       
Në dallim nga viti i kaluar, ku për arsye të situatës pandemike netët finale u zhvilluan në studion e emisionit “E diela shqiptare”, këtë vit festivali dhe netët finale do të mbahen në nëntor në Pallatin e Kongreseve, aty ku lindi magjia e muzikës, në vitin 1999. Sa i përket artistëve, ky edicion premton një ribashkim brezash e gjeneratash të ndryshme artistike, rikthime në skenë, gërshetim mes modernes dhe nostalgjikes, e gjithashtu një gërshetim kulturash nga vende të ndryshme. Kur bëhet fjalë për “Kënga Magjike” nuk ka se si të mungojnë emrat BIG. Ky edicion i 23-të do të ngjisë në skenë 26 artistë BIG shqiptarë dhe po ashtu shtrirja gjeografike artistike do të zgjerohet, nga ku shumë emra të njohur ndërkombëtarë do të plotësojnë gamën e artistëve në “kategorinë BIG” dhe jo vetëm.                           

kengamagjike.com – një hapësirë mediatike, ku ekskluzivisht do të postohen lajme, intervista nga artistë të ndryshëm, e gjithashtu pa lënë mënjanë hapësirën e përjavshme të intervistave live, vlogs dhe përmbledhjet e prapaskenave të festivalit.

Një tjetër risi që zbulohet ekskluzivisht është praktikimi i sistemit “CuePilot” të “Eurovision Song Contest” në aspektin viziv dhe televiziv…

Mendoni se mbaruam me kaq?…Për momentin bëhuni gati! Të tjerat lërjani “Kënga Magjike 2022”.

Home