RREGULLORE
KËNGA MAGJIKE 2026
Në Festivalin “Kënga Magjike 2026”, kënget do të interpretohen në gjuhën shqipe. Lejohen në garë vetëm artistët interpretues shqipfolës, me nënshtetësi ose origjinë shqiptare, ose të huaj që kanë jetuar minimalisht 5 vite në Shqipëri dhe flasin e shkruajnë gjuhën shqipe.
Këngetarët e huaj, mund të marrin pjesë vetëm në duet me artistët shqiptarë dhe pjesën e tyre, mund ta kendojnë në gjuhën e tyre.
Autorët dhe producentet e këngës, mund të jenë nga nënshtetësi të ndryshme.
Këngët që do të marrin pjesë në “Kënga Magjike 2026” do të dorëzohen pranë TV Klan vetëm në datat 2 & 3 Qershor 2026. Pas kësaj date, asnjë këngë nuk do të regjistrohet nga Komisioni i Pranimeve.
Këngët duhet të jenë origjinale, të padëgjuara më parë dhe të krijuara enkas për “Kënga Magjike 2026”. Këngët e krijuara përmes AI, nuk pranohen dhe për këtë do të krijohet një komision i posaçëm për vlerësim.
Këngët e paraqitura në “Kënga Magjike 2026” nuk duhet të jenë të gjata më shume se 3 minuta e 30 sekonda.
Në Festivalin “Kënga Magjike 2026”, artistët interpretues këndojne “Live” në të dyja fazat e festivalit: “E Diela Shqiptare” dhe “Netët Finale” në skenën ku do zhvillohet Festivali, mbi bazën orkestrale të regjistruar më parë. Në bazën orkestrale lejohen vetëm zërat shoqërues (backvocals) dhe jo linja vokale, apo segmente të zërit solistik.
Këngët pjesëmarrëse në “Kënga Magjike 2026” u nënshtrohen kontratës së bashkëpunimit mes Producentit të Festivalit dhe artistëve pjesëmarrës, që kanë të drejta të firmosin mbi pronësinë e këngës, ose në emër të producentëve të tyre.
Këngët duhet të jenë si produksion i përfunduar, shoqëruar nga teksti përkatës dhe baza muzikore, të paraqitura në formatin Wave, në Compact Disc, usb, ose email në adresën:
[email protected]
Këngët e dorëzuara me email janë të vlefshme, në rast kur marrin konfirmim me email nga produksioni, që u morën në dorëzim. Në të kundërt, mund të interesoheni pranë numrit:
+355 6860 65656
Këngëtaret që marrin pjesë për herë të parë, materialin e shoqërojne edhe me një foto.
Këngët që nuk seleksionohen në festival mbeten të lira për t’u shfrytëzuar nga ana e artistëve.
Një interpretues ka të drejtë të interpretojë vetëm një kënge konkurruese në Festival.
Studiot e prodhimit dhe autorët janë të lire të paraqesin kënge pa limit në Festivalin “Kënga Magjike 2026”.
Këngët e pranuara do të paraqiten në fazën e parë në programin “E diela Shqiptare”. Këngët e kualifikuara, më pas paraqiten në fazën e dytë në Netët Finale të “Kënga Magjike 2026”.
Artistët interpretues janë në dispozicion të datave që i komunikon produksioni televiziv për interpretimin e këngës në një nga të dielat e fazës se parë, 13 Shtator – 15 Nëntor 2026 si edhe në netët finale në rast kualifikimi, përfshirë ditët e provave, xhirimeve të ndryshme për festivalin, etj. nga data 12 Nëntor – 21 Nëntor 2026.
Në “Kenga Magjike 2026” artistët duhet të kenë parasysh se do të votojnë hapur dhe do t’i deklarojnë vetë votat e tyre në natën finale.
Shpenzimet e pjesëmarrjes së artistëve në të gjitha fazat e Festivalit, përballohen prej producentëve të artistëve, ose prej vete artistëve. (përfshirë udhëtimet si dhe qëndrimet e artistëve pjesëmarrës, jashtë kufijve të Shqipërisë)
Produksioni i Festivalit Kënga Magjike, ka të drejtën të zgjedhë ose jo, një nga këngët e Festivalit, për ta kaluar në Natën Finale.
Jo të gjithë artistët Big kalojnë në fazën e dytë. Juria e Festivalit vendos edhe në bazë të votimeve në Internet, vetëm në faqen www.kengamagjike.com, se cilët artistë të Kategorisë Big, kalojnë në 2 Netët Gjysemfinale.
Çmimi i Madh “Kënga Magjike 2026” vjen si rezultat i votimit nga vetë artistët, nga Juria dhe Votimi i Publikut., duke fituar edhe një shpërblim prej 500.000 lekë.
KATEGORIA BIG
Në kategorinë “Big” bëjnë pjesë artistët që kanë kënduar si konkurrentë në netët finale të Festivalit “Kënga Magjike” nga Edicioni 1999 deri 2026.
Në kategorinë “Big” bëjnë pjesë artistët të cilët kanë një karrierë të spikatur dhe të pandërprerë për më shumë se 10 vite me koncerte Live si titullarë dhe jo si mbeshtetës para se të këndojnë artistë të famshëm, gjithashtu të kenë marrë pjesë në mënyrë të vazhdueshme në programet më të rëndësishme televizive dhe programe të veçanta të dedikuara enkas për ta në Televizionet Kombëtare, që të kenë këngë të realizuara vetëm për ta, të njohura dhe të vlerësuara nga publiku dhe mbi të gjitha, me një aktivitet të pandërprerë të rëndësishëm artistik.
Për të studiuar të gjitha këto elementë, do të mblidhet një Komision i Veçantë i cili vlerëson nëse artisti plotëson të gjitha këto kërkesa për të qenë në Kategorinë “Big”.
Në kategorinë “Big” bëjnë pjesë artistët, të cilët Juritë e festivalit “Kënga Magjike” në vite, i kanë kualifikuar direkt, nga Kategoria “New Artist” në Kategorinë “Big”.
Nëse artistët e rinj, kanë fituar apo fitojnë për dy edicione festivali të drejtën për të votuar në netët gjysemfinale përkrah artistëve “Big”, ata kalojnë automatikisht në kategorinë “Big”.
KATEGORIA NEW ARTIST
Në kategorinë “New Artist”, bëjnë pjesë të gjithë artistët që kanë marrë pjesë në Festivalin “Kënga Magjike”, por nuk e kanë fituar statusin Big, ose ata të cilët nuk kanë marrë asnjëherë pjesë në “Kënga Magjike”, duke filluar nga mosha 16 vjeç
Artistët e Kategorisë “New Artist”, paraqesin këngët përpara jurisë në Fazën e parë e cila zhvillohet brenda programit “E Diela Shqiptare”. Në rast kualifikimi në fazën e parë, artistëve do t’u xhirohet kënga nga produksioni dhe u jepet e drejta për ta hedhur ne youtube nën logon “Kënga Magjike 2026”, përveç të drejtës që ka Produksioni për ta publikuar programin e plotë “Kënga Magjike 2026”. Me përfundimin e fazës së parë, Juria, do të shpallë se cilët New Artist do të kalojnë në mbrëmjet Gjysëm Finale.
Në Natën Gjysme Finale 1 dhe Natën Gjysëm Finale 2 artistët e Kategorisë “New Artist” do të vlerësohen përsëri nga Juria, e cila vendos për artistët që kanë të drejtë të votojnë dhe të votohen në Natën Finale.
Në rast se një artist i kategorisë “New Artist”, fiton 2 herë statusin për të votuar, ai automatikisht kalon përgjithmonë në kategorinë “Big”.
Pavarësisht votimeve të vetë artistëve, Juria e Kategorisë “New Artist”, ka të drejtë të kalojë në Natën Finale, vetëm artistin fitues të Kategorisë “New Artist”.
Juria ka të drejtë t’u japë artistëve të Kategorisë “New Artist”, statusin e përhershëm e kalimit në Kategorinë “Big” edhe në rastin kur nuk votohet nga kolegët artistë. Kjo deklarohet në Natën Finale.
Produksioni i Festivalit ka të drejtë fakultative çdo vit të japë statusin “Big”, vetëm për një ose dy nga artistët e kategorisë “New Artist”.
Nëse një kengëtar New Artist merr pjesë në duet apo trio me një artist Big, pavarësisht nga kjo, kur ai të konkurrojë në edicionet pasardhëse, do të jetë sërish në kategorinë New Artist deri në një vendimarrje të jurisë.
© 2026 Kënga Magjike. All Rights Reserved.