15 vite larg skenës, Anna Gjebrea zbulon anëtaren e fundit misterioze të jurisë!

Përgjatë 9 javëve të konkurrimit, kategoria “New Artist” në “Këngën Magjike” janë vlerësuar nga anëtarët e jurisë në skenë, nga të cilët Jonida Maliqi dhe Enkel Demi do të jenë edhe në Pallatin e Kongreseve, si dhe anëtarët misteriozë që kanë ndjekur gjithçka nga regjia.

E para anëtare sekrete që u zbulua ishte Kozeta Kurti. Në javën e tetë, Ardit Gjebrea s’arriti ta ruante dot të fshehtën duke nxjerrë emrin e Marsela Çibukajt. Emri i anëtares së fundit mbeti ende i panjohur, por këtë javë, Anna Gjebrea gjendet pranë saj.

Anna Gjebrea: Sot do të doja t’ju prezantoj anëtaren misterioze e cila do t’i bashkohet Kozetës dhe Marselës javën e ardhshme. Është një zë unik në radio, një artiste e cila padyshim i mungon skenës. Ka marrë pjesë në dy festivale magjike dhe nuk di pse nuk këndon më. Le të na e thotë vetë, Gerta Heta!

Gerta Heta: Përshëndetje! Sa qejf! Në ekran! U zbulua misterioziteti. Pse kam munguar? Anna, unë kam zgjedhur prej 15 vitesh, qëkur e kam lënë këngën për herë të fundit, u bëra pastaj mami, kam 14 vite që jam bërë mami dhe kam vendosur të jem mami me kohë të plotë. Ky është shkaku. Unë kisha vendosur të isha më prezente në rritjen e fëmijëve dhe ky është shkaku që unë jam shkëputur nga muzika.

Anna Gjebrea: Si do e mendoje, më mirë në “Këngën Magjike” në juri apo si konkurrente?

Gerta Heta: Më merr malli për atë konkurrencën, vërtet. Por edhe jurinë, është një gjë e pabërë ndonjëherë kështu që e bëj me qejf, këtë vit do ta bëj me jashtë mase shumë dedikim, do të jem e drejtë në vendimmarrje, mezi e pres që të ulem aty dhe të jap të kuqe ose jeshile.

Anna Gjebrea: Edhe ne mezi presim të të shohim në poltronin e jurisë, e merituar!

Gerta Heta: Faleminderit! E shoh këtë festival, nga viti në vit shoh ndryshime të jashtëzakonshme. Shikoj peshën që i kanë dhënë edhe artistët e rinj, jo vetëm përmes zgjedhjes së këngës, ajo është e para fare, por i kanë dhënë rëndësi jashtëzakonisht shumë të madhe edhe performancës së tyre. Më pëlqen që ky festival i këtij viti ka një larmi të madhe zhanresh, më pëlqen shumë kjo gjë, nuk jemi të fokusuar vetëm te baladat, ka zhanre më të ndryshmet, ka edhe autenticitet. Shumë nga artistët janë shumë autentikë, janë shumë origjinalë. Do të jetë shumë e vështirë përzgjedhja.

Anna Gjebrea: Kam edhe një pyetje të fundit, e kam nga vetja ime. Kë nga anëtarët e jurisë do të doje të sfidoje?

Gerta Heta: Uau, sa e vështirë! Sikundër vijmë nga i njëjti terren, unë dhe Kozeta, po sfidoj Kozetën se edhe po e mori keq, prapë jemi shoqe, nuk do të ma marrë për keq, jam e sigurt.