Është momenti vendimtar që juria e “Këngës Magjike” të dorëzojë listën përfundimtare të kategorisë “New Artist”. Sipas marrëveshjes së arritur, 18 konkurrentë do të ngjiten në skenën e Pallatit të Koncerteve në netët finale, nga 14 që ishte përcaktuar më parë.
Ndërsa juria i bashkohet Anna-s dhe Ardit Gjebreas në skenën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Enkel Demi thotë se vendimi ishte tepër i vështirë për të shkurtuar listën prej 28 konkurrentësh. Ai shton se padyshim të gjithë e meritojnë vendin e tyre dhe ky nuk është një skualifikim, por vetëm një respektim i formulës së festivalit. Lista e konfirmuar vijon si më poshtë:
- Troy Band
- Fiorela Xhaferraj
- Ergita Bahja
- Artiola Topi
- Silvana Rusi
- Mari D’Oro
- Luna Çausholli
- Dafina Aliu
- Auron Deva
- Valdrin Mustafa
- Frensi
- Bletisa & Salvatore
- Amela
- Ester Qëndro
- Leandra Godaj
- Reinaldo Gaçi
- Klaudia Thartori
- Anjes Çobo
- Joel Muhametaj
Por lista ka vetëm një ‘të metë’: një konkurrent më shumë. Edhe pse fillimisht juria nuk e pranon, rezulton që janë 19 konkurrentë. Ata kërkojnë që vendimi final për të larguar një konkurrent ose për të miratuar listën, t’i mbetet produksionit.
Anna Gjebrea: Ishin 19.
Ardit Gjebrea: Ishin 19 dhe unë prandaj i numërova, prandaj në një moment Kozeta tha ndale numërimin dhe ti the e di, e kuptova, por ju lexuat 19 emra…
Kozeta Kurti: Jo, jo 18 kemi ne.
Ardit Gjebrea: Jo, jo janë 19 se unë i numërova shumë mirë.
Enkel Demi: Kemi lexuar 18+1.
Ardit Gjebrea: Ne kemi thënë 18.
Enkel Demi: Detyra ishte shumë e vështirë. Ne nuk tërhiqemi nga ky vendim, ky është vendimi përfundimtar i jurisë.
Kozeta Kurti: Për arsye etike ne nuk e përmendim cilin emër, por për një emër ne për pak rrezikonim edhe marrëdhëniet tona personale duke filluar që nga nesër dhe vendosëm që ta bënim pjesë të listës, ndaj që të ruhemi ne, siç e vendosën këta numrin 18, le ta heqin vetë.
Enkel Demi: Ju të produksionit hiqeni një.
Ardit Gjebrea: Aldo, pyes Aldon, unë jo, është produksioni që vendos. Kemi thënë 18, janë lexuar 19 emra, si të veprojmë?
Aldon Lipe: Janë 19 dhe tani s’e di, na jepni edhe neve pak kohë të vendosim.
Vetëm pak minuta më vonë, vjen vendimi zyrtar për netët finale të “Këngës Magjike”.
Aldon Lipe: Qoftë e bërë, 19!
Anna Gjebrea: Është zyrtare! 28 artistëve “Big” do t’u bashkohen edhe 19 artistë të rinj të kualifikuar!
Në datat 19, 20 dhe 22 nis java magjike në Pallatin e Koncerteve!








