“Kënga Magjike” ka dhuruar shumë këngë e emocione, por asgjë s’do të ishte e mundur pa artistët që do t’i mundësonin të gjitha këto. Ata janë pjesëza të një formueseje të madhe, një mozaiku shumëngjyrësh. Përmes tyre kemi përjetuar çaste të ngulitura thellë për të cilat mjafton veç një melodi që të na i kujtojë.
Në këtë finale të edicionit të 25-të të festivalit, Ardit Gjebrea ndalet te artistët e skenës që kanë qenë pjesë e kësaj magjie dhe nuk jetojnë më. E vërtetë, ata nuk janë më fizikisht, por kanë shenjuar dhe janë shndërruar në diçka tjetër, në një energji që nuk e braktis kurrë skenën.
“Do të doja ta ndalnim vrapin për një çast në një moment reflektimi. Në këtë skenë ka disa zëra që nuk i dëgjojmë më, por i ndiejmë ngado. Ka disa hapa që nuk ecin më në këtë skenë, por që kanë lënë gjurmë në zemrat tona. Anida Take, Gaqo Çako, Tonin Tërshana, Sherif Merdani. Artistë të papërsëritshëm që i kemi pasur afër, këtu në këtë skenë. Nuk ka trishtim që të ngrijë buzëqeshjen që na kanë dhuruar Zef Deda, Albert Vërria apo Hajrie Rondo.
Nuk ka ngjarje të rëndësishme muzikore e artistike ku nuk kujtohet Avni Mula. Nuk ka artistë të suksesshëm që kur duartrokitet gjatë të mos kujtojë duartrokitjet e Liljana Çavollit. Violina e Ibrahim Madhit ende jehon duke shoqëruar yjet e artit shqiptar. Kur e nisëm këtë aventurë 25 vite më parë, në njëfarë mënyre, brezat ishin zhdukur, në skenë dominonte vetëm brezi i pas 90-ës. ‘Kënga Magjike’ riktheu harresën. Për këtë arsye udhëtova drejt Prishtinës për t’i zgjatur dorën, për ta ripatur në skenë bylbylin e Kosovës, Nexhmije Pagarusha. Në këtë festival harresa fizike vjen vetëm për shkak të një fuqie përtej nesh.
Sot kujtojmë edhe ata që do të donin të ishin me ne në skenë ose të ishin këtu me ju, Françesk Radi, Agron Berisha apo Kujtim Prodani. Nuk janë me ne, por kanë lënë pas një pasuri që nuk shuhet, kanë lënë këngët që marrin frymë, fjalët që prekin ende, notat që zgjojnë kujtime dhe që na ngrohin shpirtin. Në të vërtetë ata nuk ikën kurrë, as Dr. Flori, as Gent Demaliaj, as Hyueda El Sayed, as Ergi Dini, as Emi apo Adelajda Xhamani, janë këtu mes nesh. Ata u shndërruan në dritën që bie në këtë skenë, në magjinë e natës që jetojnë së bashku, kanë ndryshuar skenë, kanë kaluar në një tjetër perde, në një tjetër dritë, në një tjetër hapësirë, aty ku arti nuk matet me duartrokitje por me shenjën që kanë lënë ata këtu. Sonte ne i kujtojmë me mirënjohje sepse falë tyre, muzika jonë është më e pasur, skena është e tyre, përtej atyre dhe përgjithmonë e tyre!”








