Në vitin 2017, Rea Nuhu erdhi për herë të parë në konkurrim në “Këngën Magjike” në një duet me Kastro Zizon, të titulluar “Pa faj”. Këtë vit, ajo rikthehet si kantautore, por përpara se të performojë në skenën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, e pret një surprizë.
Ardit Gjebrea: Cila është kënga që do të doje të të këndonim ne sot?
Rea Nuhu: Nga këngët e mia apo…
Ardit Gjebrea: Në përgjithësi.
Rea Nuhu: Në përgjithësi do të më pëlqente ajo kënga “This girl is on fire.”
“Ta këndoj unë?”, i tha Gjebrea duke kënduar bashkë me publikun këngën e ditëlindjes. “Rea mbush 25 vjet në 25-vjetorin e ‘Këngës Magjike’”, tha Gjebrea.
Ardit Gjebrea: Në 25-vjetorin tënd, cilin vit do të doje ta jetoje të tërin nga e para?
Rea Nuhu: Do të doja të rijetoja vitin 2017, ku ka qenë edhe pjesëmarrja ime në “Këngën Magjike” me Kastro Zizon. Jo vetëm prej “Këngës Magjike” që ka qenë një gjë shumë e madhe për mua, por ka qenë një moshë tranzicioni, kanë filluar ato pyetjet e para a është shumë e vështirë rruga e muzikës, a ia vlen që të luftosh për të dhe kur e kthej kokën sot, them ajo Rea aq e vogël, me ëndrrat e mëdha që ishte në dyluftim me veten e saj dhe si përfundim zgjodhi dhe do të zgjidhte gjithmonë muzikën, do të doja ta rijetoja atë vit.
Ardit Gjebrea: Nëse do të ftoje në festë një person që nuk është më, kë do të doje të kishe pranë?
Rea Nuhu: Gjyshen nga ana e mamit. Një nga fanset më të forta. Ardit, se po më prek para performancës.
Ardit Gjebrea: Ndjesë! Po të bëj disa pyetje të tjera që të të lehtësoj. Çfarë do t’i uroje vetes në ditëlindjen tënde të 25-të me një të fryrë të qiririt?
Rea Nuhu: Do t’i uroja vetes që të vazhdojë dhe ta dojë muzikën po kaq fort sa e do dhe e ka dashur gjithmonë, të këmbëngulë sepse nuk është e lehtë, por kur e do diçka me shpirt, duhet të luftosh për të. T’i uroj vetes sime shëndet në radhë të parë se mendoj që shëndeti është gjëja më e rëndësishme dhe… ç’t’i dojë zemra!








