“Kënga Magjike” është vetëm një javë larg Pallatit të Koncerteve ku magjia e skenës do të arrijë kulmin përgjatë datave 19, 20 dhe 22 nëntor. Në javën e 10-të, shpjegon Ardit Gjebrea, anëtarët e jurisë do të bëjnë përzgjedhjen finale të kategorisë së artistëve të rinj.
Ndërkohë Anna Gjebrea ia mori një kënge që ndoshta shumë mund ta kujtojnë, por ajo provoi se edhe pse i përket gjeneratës Z, e njeh mirë historinë e festivalit. Me këngën që i përket fitueses së edicionit të vitit 2002, Anna zbulon në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se ajo do të rikthehet si konkurrente pas 16 vitesh!
Ardit Gjebrea: Edhe një javë na ndan nga netët finale në Pallatin e Koncerteve në data 19, 20 dhe 22 nëntor ku shumë surpriza na presin. Javën tjetër, Keli, Jonida, Kozeta, Marsela dhe Gerta do të përzgjedhin këngët përfaqësuese në kategorinë “New Artist”, ndërkohë do t’ju njohim edhe me renditjen e dy netëve gjysmëfinale për kategorinë “Big”.
Anna Gjebrea: “Do ekzistoj sa bota vetë dhe unë e ti, do ekzistoj…”
Ardit Gjebrea: Po kjo?
Anna Gjebrea: Ky është momenti të vërtetoj se unë e njoh mirë historinë magjike. Kjo është kënga fituese në “Kënga Magjike 2002”. Këngëtarja e cila interpretoi, në javën e 10-të do të përmbyllë konkurrimin e kategorisë “Big” me një rikthim pas 16 vitesh! Mira Konçi!
Ardit Gjebrea: Do e presim javën e ardhshme Mirën!
Herë pas here gjatë këtyre javëve, Anna i ka thënë Arditit se ai mund të mos jetë fare në Pallatin e Koncerteve. Megjithatë, ajo tashmë e ka vendosur: nuk do ta lërë të atin pas.
Ardit Gjebrea: Do të takohemi edhe njëherë këtu pra, në skenën ku magjia realizon ëndrra!
Anna Gjebrea: Në skenën këtu do të takohemi për herë të fundit?
Ardit Gjebrea Jo, si kemi thënë? Në një familje askush nuk mbetet pas, por nëse ti më lejon unë do të isha i nderuar të isha bashkëprezantuesi yt në javën e 10-të, edhe në netët finale në Pallatin e Koncerteve.
Anna Gjebrea: Gjithmonë me ty o ba!








