Niki Zaimi vjen për herë të tretë në “Këngën Magjike” dhe tashmë është kuptuar që lëvron një zhanër si ‘rock’-u duke mos preferuar të bëjë kompromise për hir të tregut. Është një pasion, ashtu si titulli i këngës së tij dhe ai s’ka ndërmend të ndalet për asgjë.
Në një bisedë në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Niki reflekton mbi të dyja anët e medaljes, deri ku mund ta ndjekësh e të sakrifikosh për atë që do?
Ardit Gjebrea: Nëse nuk do të ekzistonte muzika Niki, me çfarë do të merreshe ti?
Niki Zaimi: Do të merresha me programim.
Ardit Gjebrea: Për çfarë thua ia vlen të këndosh dhe në cilin moment thua nuk ia vlen fare të këndosh?
Niki Zaimi: Ia vlen të këndosh kur sheh në sytë e publikut vëmendjen që kanë te ti dhe emocionet që kanë te kënga jote, mënyra jote e të kënduarit. Momenti që ti ia thua nuk ia vlen të këndosh është momenti i provave që lodhesh e stërlodhesh për këngët dhe atë perfeksionin e arritjes optimale të një kënge që bën ‘cover’ ose tëndes.
Ardit Gjebrea: Kënga jote titullohet “Pasion”. Sipas teje, për çfarë duhet të kesh pasion dhe për çfarë jo meqenëse po i shohim të dyja anët e medaljes në këto pyetje?
Niki Zaimi: Pasioni është ajo që bën pa u lodhur, pa u mërzitur dhe pasion nuk quhet ajo ti e bën me zor. Edhe kënga për këtë flet, që unë do të ndjek pasionin tim edhe në qoftë se dikush nuk do.
Ardit Gjebrea: Cili është pasioni yt?
Niki Zaimi: Pasioni im është të këndoj.








