Java e katërt e “Kënga Magjike”, shënon një kapitull të ri në rrugëtimin e këtij edicioni. Zyrtarisht në garë, sapo janë prezantuar disa nga këngët me tematike sociale në “Kënga Magjike 2024”.
Blerina Braka, këngëtarja e dashur për publikun shqiptar, “troket” për të shtatin vit në skenën magjike. “Mirëmëngjes”, titullohet kënga e saj konkurruese, një baladë epike, e cila vjen si një thirrje shprese për të gjitha vajzat dhe gratë e mbijetuara nga dhuna.
Ekskluzivisht në intervistën me Ardit Gjebrean, Blerina Braka tregoi se kënga është një dedikim. Për herë të parë, këngëtarja, zbuloi rastin fatkeq të dhunës në familjen e saj. Braka u shpreh se:
“Kënga Mirëmëngjes është dedikim. Kjo pjesë është një ngjarje e përjetuar nga motra ime, e cila ka pasur një jetë me probleme, si shumica e grave në Shqipëri. Kënga më lidh me historinë e motrës sime dhe kur e këndoj përjetoj edhe unë, atë që ka përjetuar motra ime.”
Dhuna është një fenomen në rritje, ku fatkeqësisht shumë gra sa vjen e humbin jetën prej agresorëve. Në këto raste, jo vetëm festivali, por çdo artist ka mision të ndërgjegjësojë dhe të emanciopojë nëpërmjet nismave artistike.








