Me një këngë me elementë folk e pop, Juliana Pasha vjen si qetësia para stuhisë në “Këngën Magjike”. Një artiste që e njeh mirë skenën, përgjegjësinë para saj, por edhe ëndrrat e të rinjve që dëshirojnë të bëhen pjesë.
Në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Juliana tregon se pas dritave dhe ëndrrave, ekziston edhe versioni pa fustane xixëlluese, ai i gruas së përkushtuar ndaj familjes që bën detyrat e saj.
Ardit Gjebrea: Sot këndon përballë të rinjve që janë plot ëndrra. Për çfarë duhet t’u tregoje atyre që ti thua ia kam dalë?
Juliana Pasha: Normalisht të gjithë ata që janë ngjitur në këtë skenë të rinj, ngjiten me një synim për t’u bërë dikushi, për të përcjellë emocionin që duan, për të përcjellë muzikën që e dëshirojnë, që e kanë pasionin e tyre. Unë realisht ia kam dalë të përcjell vetveten, të përcjell Julin gjithmonë kur jam ngjitur në skenë kështu që do të vazhdoj të jem Juli dhe asgjë tjetër.
Ardit Gjebrea: Tani dritat fiken, merr duartrokitje, këndon dhe kthehesh në shtëpi. Çfarë bën pastaj?
Juliana Pasha: Do të gatuaj për burrin! Patjetër që po!
Ardit Gjebrea: Ti dhe Altini, meqenëse e përmende, jeni si një trup i vetëm. Por sikur vetëm për një ditë të ndryshonit rolet, çfarë nuk do të bënit si njëri-tjetri?
Juliana Pasha: Kjo është pak e vështirë. Më vure në mendime. Nuk e di Altin… Altin, e shikon Ardit? Në mendje kam Altinin!
Ardit Gjebrea: Përveç Altinit, cili është ajri në jetën tënde?
Juliana Pasha: I pari është Perëndia, Zoti, ai që na drejton, na mbush çdo ditë me ajër, çdo ditë me frymë, që na bën të zgjohemi, na bën të flemë dhe së dyti është familja dhe vetëm familja. Pa familjen nuk kam ajër.








