Edicioni i 25-të i “Këngës Magjike” nisi zyrtarisht më 14 shtator, në hapësirën e dedikuar në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Në këtë vit jubilar, bëhen rreth 1000 këngë që kanë hyrë në historinë e festivalit dhe të fonotekës shqiptare. Edhe ky edicion premton balada, duete, rryma të ndryshme, kërcim dhe mbi të gjitha, këngë që mbeten gjatë në kujtesë.
Në kategorinë “Big” rikthehen emra legjendarë, por bashkohen edhe emra që më parë nuk janë bërë pjesë e festivalit. Grupi i njohur Offchestra është një prej tyre, të cilët kur hyjnë në studio thonë se e kanë menduar seriozisht pjesëmarrjen që prej vitit të shkuar. 25-vjetori u duk momenti më i duhur që ata të mos mungonin. Përpara se të prezantojnë këngën “Jetë o jetë”, ata vendosen para disa pyetjeve ngacmuese.
Ardit Gjebrea: Pse Offchestra kur ju më shumë ju shkon Onchestra?
Offchestra: Ka mbetur një kombinim prej një fjale të vjetër por tani ka mbetur një fjalë që përshkruan rrymën tonë. Offchestra është ajo rryma që bëjmë ne, kombinimi që bëjmë ne në muzikë që njerëzit e pëlqejnë. Nuk ka një kuptim. Kuptimin ia japim ne.
Ardit Gjebrea: Ju ka ndodhur që ndonjë fanse të ngjitet papritmas në skenë dhe të puthë ndonjërin nga ju?
Offchestra: DJ Vice ka kështu gjërash.
Ardit Gjebrea: I pret me kënaqësi apo…
Offchestra: Është mikpritës.
Ardit Gjebrea: Nëse ndonjëri prej të dyve, do të martohej së shpejti, cilën këngë do të performonit në ditën e dasmës së tij?
Offchestra: Uau! “Doli goca në penxhere.”
Ardit Gjebrea: Domethënë, meqenëse ke radhën për t’u martuar, në ditën e celebrimit, cili nga ju të katërt do të thoshte “kundërshtoj”?
Offchestra: Të katërt. Sidomos ne të martuarit do t’i thoshim mos o burrë.








