Një tortë, por jo për ditëlindje! Anna e Ardit Gjebrea dhe juria fryjnë qirinjtë së bashku

Është java e dhjetë e “Këngës Magjike” ku bëhet edhe përzgjedhja finale e kategorisë “New Artist” që do të prekë Pallatin e Koncerteve. 14 prej tyre do të arrijnë të ngjiten në skenë, ndërsa 26 të tjerë do ta ndërpresin rrugëtimin e këtij edicioni.

Por ndryshe nga javët e tjera, në skenën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Anna Gjebrea pret me një tortë të madhe të zbukuruar me nota muzikore e piano.

Moderatorja shpjegon se nuk është ditëlindja e saj dhe këtë herë s’ka dëshira, por vetëm një falënderim nga zemra.

Anna Gjebrea: Kur isha e vogël më kujtohet që kur kisha ditëlindjen, momenti më i bukur ka qenë kur fryja qirinjtë e tortës dhe për çdo qiri të shtuar shtoheshin edhe dëshirat e mia. Edhe kur bie një yll shprehim dëshira, edhe në Krishtlindje e Vit të Ri e njëjta gjë. Sot nuk kam ditëlindjen, por kjo tortë mban 10 qirinjtë e javëve të fazës së parë të festivalit magjik.

Nuk do të jem vajza e dëshirave, por e falënderimeve. Çdo herë që diçka na jepet dhe na lumturon, duhet të falënderojmë Zotin e të lutemi sepse besimi në të është forca, ndërsa mirënjohja është bekimi i tij. Për të fryrë qirinjtë, padyshim që nuk mund të jem vetëm, por së pari do të doja të ftoj atë që ndezi 25 herë dritën e një festivali që sot u përket të gjithëve: Ardit Gjebrea!

Në skenë vjen Ardit Gjebrea, i gatshëm ‘për të kullufitur’ tortën, por Anna e ndal duke ftuar jurinë: Jonida Maliqi, Enkel Demi, Marsela Çibukaj, Kozeta Kurti e Gerta Heta për të fryrë qirinjtë së bashku.