Në pjesëmarrjen e tij për 3 vite në kategorinë “New”, Rei Bezhani ka treguar se mund të eksperimentojë dhe të sjellë gjithnjë diçka të re. Në 25-vjetorin e “Këngës Magjike” ai pëson një transformim duke ardhur si një artist “Big”, por ndryshimi s’është vetëm në anën profesionale.
Në pyetjet në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Rei zbulon se në jetën private nuk është më krah balerinës dhe nuk do të ketë puthje në skenë. Megjithatë, mbetet i hapur ndaj mundësive të reja. Sa i përket faljes, këngëtari bën një dallim për të treguar se çfarë mund ta pengojë të falë.
Ardit Gjebrea: Ti tashmë je “Big” dhe ende mban suksesin e “E di ajo”. Çfarë ka ndodhur gjatë këtij viti? Çfarë di akoma ajo?
Rei Bezhani: Me thënë të drejtën, ajo s’di asgjë, por tjetër muhabet ky. Ky vit ka shkuar shumë mirë, në qoftë se jemi tek e di ajo, këtë vit jemi me nuk më ka ajo, kështu që jemi ndryshe këtë vit.
Ardit Gjebrea: E kuptova! Pra kështu është jeta. Në qoftë se vjet ishe e di ajo, nuk më ka ajo, vjet shkëmbeve një puthje, këtë vit çfarë do të bësh?
Rei Bezhani: Këtë vit puthje s’ka, kjo është e sigurt.
Ardit Gjebrea: Je i sigurt?
Rei Bezhani: Po, po është e sigurt.
Ardit Gjebrea: Mos të prishet mendja gjatë këngës, shih ç’bëhet këtu?
Rei Bezhani: Mirë, okej, kështu, të hapur për mundësi të reja jemi gjithmonë, por që të paktën flas për çfarë ka këtë vit, këtë vit s’ka puthje, kjo është e sigurt.
Ardit Gjebrea: Pyetja e fundit: për cilin motiv do ta falje dikë që ka gabuar me ty?
Rei Bezhani: Unë jam njeri që fal shumë. Unë jam njeri që i fal gabimet, por nuk jam njeri që fal fajet dhe mendoj që gabimi me fajet kanë diferencë shumë të madhe me njëra-tjetrën dhe mendoj që gabimet janë të vogla dhe njerëzore, kurse fajet janë të rënda dhe nuk falen.








