Me zërin e saj, Albina Kelmendi ka bërë për vete jo vetëm publikun shqiptar, por edhe atë të huaj. Në “Këngën Magjike” ajo vjen si një yll i vërtetë, me një këngë zemre, “Gënjeja”. Në pyetjet e lidhura me tekstin e këngës, Albina flet në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan për gënjeshtrën, të vërtetën dhe zhgënjimet e jetës.
Ardit Gjebrea: Albina vjen me një këngë që në refren përsërit non stop fjalën “gënjeja”. Nëse do të zgjidhje vetëm një nga dy opsionet, të gënjesh apo të të gënjejnë, cilën do të preferoje dhe pse?
Albina Kelmendi: Po kush do të kishte pasur dëshirë të gënjehej? Më mirë t’i gënjejmë!
Ardit Gjebrea: Edhe pse je shumë e re, a ka ndonjë moment në jetë që ti ke menduar “jeta qenka gënjeshtër?”
Albina Kelmendi: Po, sigurisht, si çdo njeri tjetër, edhe ne kemi ato ulje-ngritjet tona, ndoshta për faktin që kemi një profesion jo të lehtë.
Ardit Gjebrea: Ka ndonjë moment specifik?
Albina Kelmendi: Nuk më vjen tani për moment.
Ardit Gjebrea: Je e përqendruar te kënga.
Albina Kelmendi: Po, sepse kam shumë emocione dhe sa herë mendoj që nuk do të kem emocione, gjithmonë përsëritet e njëjta gjë.
Ardit Gjebrea: Nëse një e vërtetë që duhet t’ia thuash dikujt ka nga pas një dhimbje të madhe, do e gënjeje, do t’i thoje të vërtetën apo do të heshtje?
Albina Kelmendi: Jam gjithmonë pro së vërtetës sado që dhemb. Edhe kur dhemb, është mirë ta dinë të vërtetën.
Ardit Gjebrea: Në momentin që ti merr një kompliment dhe e ndien që është i pavend në momentin që ta thonë, të pëlqen edhe pse është një gënjeshtër?
Albina Kelmendi: Janë gjëra që lidhen me profesionin kur merr komplimente gjithë kohës ndoshta, por nga njerëzit që më rrethojnë, nga ata që më duan, i marr si shumë të vërteta dhe mundohem t’i mbaj ato, mos t’i zhgënjej.








