Të jetosh si Manjola Nallbani, këngëtarja veçon momentet që e kanë shenjuar

Play Video

Manjola Nallbani rikthehet në “Këngën Magjike” pas 13 vitesh ku hyri në histori si e para që solli rrymën ‘symphonic rock’. Ajo ka qenë pjesëmarrëse që në edicionin e parë në vitin 1999 dhe më pas edhe si anëtare jurie.

Në 25-vjetorin e festivalit, ajo vjen me këngën “Jetoj”, e cila kthehet edhe në fjalën kyçe për pyetjet për të në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan duke u ndalur në disa nga momentet më domethënëse të jetës së saj.

Ardit Gjebrea: Nëse do të veçoje vetëm një kujtim nga jeta jote, cili do të ishte?

Manjola Nallbani: Ardhja në jetë e vajzave të mia.

Ardit Gjebrea: Pse e dija unë këtë përgjigje?

Manjola Nallbani: E di se ke vajzë vetë. Nuk e ke sjellë ti në jetë, e ka sjellë Anila, por ka qenë njësoj lumturi.

Ardit Gjebrea: Edhe djalin, mos të harrojmë Jonin asnjëherë! Ti këndon disa zhanre. Cilin moment nga karriera do të doje ta rifilloje edhe njëherë nga e para?

Manjola Nallbani: Jo, realisht asnjërën sepse mendoj që çdo gjë ka rrjedhën e vet logjike në jetë. unë jam shumë e lumtur dhe e mbushur me çfarë kam arritur deri tani, me gjithë sukseset apo edhe ato momentet kur mendoj që mund të kisha bërë gjëra shumë më të mira, më të bukura, por të gjitha na shërbejnë për të qenë sot këto që jemi.

Ardit Gjebrea: Për cilin motiv do t’i thoje dikujt “jeto”?

Manjola Nallbani: Unë besoj që s’ka gjë më të shenjtë se jeta dhe çdokush mund ta gjejë një motiv. Ai motiv duhet t’i japë forcë për ta jetuar jetën që është gjëja më e magjishme, është dhurata më e madhe që na ka bërë Zoti.